Ballina Flash

AQSHF: Së shpejti, premiera e filmit të restauruar “Kapedani”

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit njoftoi së së shpejti do të mund të shohim në cilësi maksimale të videos e audios, filmin “Kapedani” i cili është duke u restauruar.

“Teknologjia digjitale na siguron tani cilësi maksimale të figurës e na tregon detaje të trukut të aktorëve që ne si spektatorë nuk duhej t’i shihnim”, shkroi AQSHF në rrjetet sociale.

Filmi “Kapedani” është realizuar në vitin 1972 me regji të Muharrem Fejzos dhe Fehmi Hoshafit, me skenarin e shkruar nga Skënder Plasari dhe muzikën e Tahsim Hoshafit.

Në ato vite, ndodhte që kinostudioja caktonte dy regjisorë, kryesisht kur bëhej fjalë për realizimin e filmave të parë.  Tek “Kapedani” interpretojnë aktorë të njohur si Albert Vërria me rolin e xha Sulos, Nikolin Xhoja me rolin e xha Beqos, Flora Mërtiri  (kryetarja), Robert Ndrenika (djali i xha Sulos), Lazer Filipi  (shoku Ropi) etj.

Një pjesë e madhe e filmave të prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e re”, janë dixhitalzuar e restauruar. Disa prej tyre, së fundmi janë shfaqur në ekranin e Kinemasë Verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) në kuadrin e Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit. Me rastin e këtij përvjetori jubilar, inkurajohen të rinjtë të njohin të kaluarën historike të Shqipërisë.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Blinken: Irani dhe Izraeli të shmangin përshkallëzimin e konfliktit
Artikulli tjetërSerbët protestojnë në Mitrovicë të Veriut kundër hapjes së urës mbi Ibër