Ballina Aktualitet

Ekstradohet nga Belgjika i shumëkërkuari Leonard Duka

TIRANË, 2 gusht/ATSH/- Policia e Shtetit njofton se sot është realizuar ekstradimi nga Belgjika i të shpallurit në kërkim Leonard Duka.

Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë ndarë pamje nga mbërritja e tij në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, ku dhjetra forca Policie, Forcat Speciale dhe Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë bërë shoqërimin e tij drejt IEVP-së.

“Leonard Duka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas dhe 6 shtetas të tjerë janë autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur në vitin 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, shtetasi S. M. Gjithashtu, shtetasi Leonard Duka, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka planifikuar vrasjen e shtetasve Er. Ma., Er. Mi. dhe të anëtarëve të tjerë të grupit të tyre”, bën të ditur Policia e Shtetit.

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Harris mbledh dy herë më shumë para’ se sa Trump për presidencialet
Artikulli tjetërFOKUS – WSJ: Shkëmbimi i të burgosurve një sukses diplomatik i Erdoganit