TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Anëtari i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, Engjëll Ndocaj, prezantoi të enjten raportin vjetor të vitit 2023 të punës së zhvilluar nga RTSH.
Ndocaj tha se “gjatë sezonit televiziv, nga shtatori 2023-2024 stafi i RTSH prodhon 120 programe të reja në javë. Natyrisht, me një kërkesë llogarie për cilësi profesionale sa më të lartë si nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja”.
“Aktualisht RTSH ofron transmetimin në 18 kanale, 7 kanale të radios dhe 3 online, që janë kthyer në pistën e garës së medias për audiencën. Janë rikthyer në ekranin e RTSH spektaklet televizive dhe u rrit shumëllojshmëria e programeve. Studio nr. 1 u rinovua totalisht me konceptin 360 gradë dhe vlerësohet si studioja më e mirë në Shqipëri”, theksoi Ndocaj.
Duke sjellë në vëmendje Europianin “Gjermani 2024”, Ndocaj tha se Europiani i futbollit u soll në mënyrë të veçantë në Radio Televizionin Shqiptar.
“Ishin 30 netë të gjata të komentit, të transmetimeve të ndeshjeve të EURO2024, ku ne nuk kishim të drejtën ekskluzive të transmetimit, por e sollëm në mënyrë të veçantë dhe Europianin “Gjermani 2024””, u shpreh ai.
Ndocaj tha se në rrjetet sociale aktiviteti i RTSH këto muaj ka patur rritjen më të madhe.
“Në muajt e fundit të 2023 dhe përgjatë muajve të parë 2024, aktiviteti u rrit në raport me 9 muaj më parë. U shumëfishuan dhe të ardhurat. Në rrjetet sociale, aktiviteti i RTSH ka patur rritjen më të shpejtë në mediet radiotelevizvie, nga 10% deri në 70% në Instagram dhe rritje 150% në Facebook. Sipas analizave, shumë nga programet e RTSH janë në garë me median e madhe private për shikueshmërinë në treg, duke përmbushur nevojat e publikut me produkte audiovizive”, tha Ndocaj.
Ai tha se RTSH 24 është një tjetër produkt i suksesshëm sa i takon produkteve audiovizive në fushën e informimit.
/r.e/























