Ballina Aktualitet

Kodi Zgjedhor, Basha dorëzon amendamentin për hapjen 100% të listave

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha dorëzoi sot amendamentin në Kuvend që parashikon hapjen 100% të listave.

Në një konferencë për mediet, Basha tha se ky amendament do të jetë një nga testet për të mundësuar që Demokratët Euroatlantikë të garojnë me një listë 100% të hapur.

Ai gjithashtu tha se “beteja do të vazhdojë bashkë me forcat politike euroatlantike që nuk mund të gëlltisin dhe as të pranojnë me kokën ulur mbylljen e listave”.

“Nga ky moment ne do të hedhim të gjitha hapat e nevojshëm. Sapo kam përfunduar dhe dorëzuar zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë amendamentin që parashikon listat plotësisht të hapura.Pra, që mundëson që një forcë politike të mos detyrohet në kundërshtim total me parimet themelore të demokracisë që buron nga vota e qytetarëve, të dorëzojë një listë të mbyllur, por të ketë mundësi të dorëzojnë një listë të hapur shumemërore e cila do të jetë baza e vetme bazuar mbi votat që do të marrë çdo qytetarë për deputetët e ardhshëm”, tha ai.

Basha theksoi se amendamenti synon që deputetët të zgjidhen emër për emër, sigurisht duke respektuar kuotat gjinore nga qytetarët dhe jo nga kryetarët e partive.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTEL AVIV – Shtyhet udhëtimi i delegacionit izraelit në Katar
Artikulli tjetërBRUKSEL – KE: Liria e medias ende në rrezik në disa vende të BE-së