TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po vijon hetimet në lidhje me procedimin penal për kontratën koncesionare për “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”.
Kontrata është lidhur ndëmjet autoritetit kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k., me kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare në vlerën 128.248.330 Euro, pa TVSH.
SPAK njofton se deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, kanë rezultuar fakte penale të tjera të evidentuara gjatë periudhës së zbatimit të kontratës koncesionare, për të cilat është bërë regjistrimi i njoftimit të veprave penale në regjistrin penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Nga aktet e administruara ka rezultuar se janë pastruar si produkte të veprës penale në vlerën prej afërsisht 20 milionë euro, të ndara konkretisht në shumat prej: 1.214.867.060 lekë; 9.456.093 euro”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Sipas SPAK, aktiviteti kriminal i pastrimit të produkteve të veprës penale, rezulton se është kryer në vazhdimësi duke filluar që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare duke përdorur mekanizma dhe forma të ndryshme të ngritura nga organizatorët e këtij aktiviteti kriminal, me pjesëmarrës shtetas shqiptar dhe të huaj, të cilët kanë vepruar në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal.
“Personat pjesëmarrës të këtij grupi të strukturuar kriminal kanë përfituar vlera monetare të mësipërme, si produkte të veprës penale, duke marrë vlerat monetare nga llogaria bankare e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive, në sajë të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe nëpërmjet tërheqjes së vlerave monetare në cash”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Pas kryerjes së hetimeve dhe analizimit të provave, në datën 29 qershor 2024, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesën për caktimin e masës së sigurimit ndaj 8 shtetasve shqiptarë dhe të huaj, të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin e datës 12 korrik 2024, ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj tetë shtetasve me inicialet D.Y., G. C., D. T., M. L., M. D., I. D., E. H. dhe R. N.
Në krye të grupit të strukturuar kriminal qëndrojnë shtetasit K.Z. dhe M.M., ndaj të cilëve është proceduar më parë me caktim mase sigurimi “arrest në burg”.
Në datën 12 korrik 2024, Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit të ekzekutojë masat e sigurimit të caktuara me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Policia e Shtetit më datë 15 korrik 2024, ka vënë në dijeni Prokurorinë e Posaçme, për pamundësinë e ekzekutimit të masave të sigurimit personal ndaj shtetasve të mësipërm.
Hetimet vijojnë me qëllim evidentimin e përgjegjësisë së personave të tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale. /m.m/






















