Ballina Bota

IRAN – Pezeshkian: I gatshëm për dialog konstruktiv me BE-në

TEHERAN, 13 korrik /ATSH-AFP/ – Presidenti i sapozgjedhur iranian Massoud Pezeshkian deklaroi se ishte gati për të filluar një dialog konstruktiv me vendet evropiane, në një artikull të botuar të shtunën në një të përditshme lokale anglishtfolëse.

Pezeshkian, i zgjedhur në fillim të korrikut, nënvizoi linjat kryesore të politikës së jashtme që ai synon të ndjekë në një artikull të botuar nga ”Tehran Times”.

”Mezi pres të angazhohemi në dialog konstruktiv me vendet evropiane për të vendosur marrëdhëniet tona në rrugën e duhur”, shkroi ai.

Gjatë fushatës elektorale, Pezeshkian premtoi se do ta “nxjerrë Iranin nga izolimi” duke vendosur “marrëdhënie konstruktive” me botën, veçanërisht me vendet evropiane.

Presidenti i zgjedhur kritikoi tërheqjen, në vitin 2018, të Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja ndërkombëtare për Iranin bërthamor të lidhur tre vjet më parë dhe që synonte të kufizonte aktivitetin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit nga sanksionet.

Uashingtoni më pas rivendosi sanksionet ndaj Republikës Islamike.

Lidhur me vendet fqinje, Pezeshkian i bëri thirrje Turqisë, Arabisë Saudite, Omanit, Irakut, Bahreinit, Katarit, Kuvajtit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe që të “forcojnë marrëdhëniet tregtare” me Iranin dhe të “ngrenë sfida të përbashkëta” në rajon.

Zgjedhjet presidenciale të 5 korrikut në Iran u ndoqën nga afër jashtë vendit, ndërkohë që Irani është në qendër të disa krizave gjeopolitike, nga lufta në Gaza deri te çështja bërthamore, në të cilën ai kundërshton Perëndimin.

Pezeshkian, i cili duhet të betohet në fund të korrikut për të filluar një mandat katërvjeçar, pason Ebrahim Raïssi, i cili vdiq në një aksident me helikopter në maj./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEURO2024 – Princi William dhe Starmer të pranishëm në finalen Angli-Spanjë
Artikulli tjetërBaza Ajrore e Gjadrit rikthehet në funksion për fluturimin e helikopterëve Black Hawk