Ballina Flash

Nelson Hysa kampion Europe në WBO, për peshat e rënda

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Boksieri Nelson Hysa ka fituar titullin e parë europian në WBO për peshat e rënda. Shkodrani triumfoi që në raundin e parë ndaj Thorsten Fuchs, duke e gjunjëzuar dy herë në pak sekonda, në një atmosferë elektrizuese në sheshin “Skënderbej”.

Dueli që zgjati vetëm një raund u karakterizua nga goditja e saktë me të djathtën e bokserit Hysa, që gjunjëzoi menjëherë kundërshtarin nga Gjermania. Kjo ishte fitorja e 18-të në karrierë për Hysën. Bokseri shkodran ka arritur të triumfoi 16 herë me “knock out”, ndërsa në dy raste ka fituar me pikë. Ky triumf i Hysës sjell për herë të parë titullin europian në Shqipëri.

Lidhur me triumfin e Hysës ka reaguar dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Ai thekson se boksieri Hysa ngre lart Shqipërinë.

“Nelson Hysa ngre përsëri lart Shqipërinë, duke marrë titullin e parë europian WBO për peshat e rënda. Bravo Nelson Hysa”, shkruan Balla.

Shqipëria u krenua edhe me boksierin tjetër, Alban Bërmeta. Boksieri kryeqytetas mposhti Obina Matheu pas 3 minutash. Titulli global WBO shkoi për Bërmetën, i cili mori fitoren e 17-të në karrierën e tij.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVILNIUS – Ministrat lituanezë nuk do të marrin pjesë në takimet e BE-së pas vizitës së Orbanit në Moskë
Artikulli tjetërAMF rregullore të re për fondet e pensionit privat