Ballina Aktualitet

E drejta për informim, OECD vlerëson Zyrën e Komisionerit

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u ftua nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), për të marrë pjesë në aktivitetin “Rritja e aksesit në informacion në Jordani: roli i institucioneve publike në zbatimin efektiv të kuadrit të ri rregullator”.

OECD vlerësoi autoritetin shqiptar për përvojën dhe standardet e larta në fushën e të drejtës për informim dhe për këtë arsye u përzgjodh së bashku me autoritetin spanjoll për të drejtën e informimit, për të ndarë eksperiencën dhe

praktikat më të mira në këtë fushë.

Aktiviteti u organizua nga OECD dhe Ministria e Kulturës e Këshilli i Informimit të Jordanisë, ku morën pjesë mbi 80 autoritete vendase me mbi 100 përfaqësues të nivelit të lartë nga institucionet qendrore si ministritë e institucione të tjera kyçe në vend.

Jordania ishte vendi i parë që miratoi një ligj për të drejtën e informimit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, ndërsa prej prillit 2024 e ka përmirësuar akoma edhe më shumë atë.

Zyra e Komisionerit prezantoi një panoramë të kuadrit ligjor për të drejtën e informimit, funksioneve monitoruese dhe mbikëqyrëse të autoritetit, instrumentin e programit të transparencës në kuadër të transparencës proaktive të organeve të sektorit publik, si dhe veprimtarinë ndërgjegjësuese me fokus, bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe grupet e interesit.

Pjesëmarrja në këtë aktivitet është dëshmi e kapaciteteve në rritje të Zyrës, por edhe e vlerësimit nga organizata ndërkombëtare si OECD, duke e cilësuar Zyrën e Komisionerit si një prej autoriteteve që ka vendosur një prej praktikave më të mira ndërkombëtare në fushën e të drejtës për informim, për të konsoliduar edhe më shumë kulturën e transparencës për institucione publike të përgjegjshme.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Një në 200 përdorues kanabisi përjeton psikozë pas konsumimit
Artikulli tjetërHapen regjistrimet për klasat e para dhe të dhjeta në e-Albania