Ballina Bota

RUSI – 10 000 emigrantë dërgohen në frontin e luftës me Ukrainën

MOSKË, 27 qershor /ATSH-DPA/ – Rusia deri më tani ka rekrutuar dhe dërguar rreth 10 000 burra për të luftuar në konfliktin e saj të armatosur, më shumë se dyvjeçar, kundër Ukrainës, deklaroi një zyrtar i lartë.

“Ne kemi kapur tashmë më shumë se 30 000 emigrantë që morën nënshtetësinë dhe nuk donin të regjistroheshin për shërbimin ushtarak. Ne dërguam rreth 10 000 prej tyre në zonat e operacionit të posaçëm ushtarak”, tha kreu i Komitetit Hetues Rus, Alexander Bastrykin.

Bastrykin ishte një shok universiteti i presidentit Vladimir Putin dhe konsiderohet një i besuar i ngushtë i shefit të Kremlinit.

Sipas Bastrykin, rekrutët janë kryesisht përgjegjës për gërmimin e llogoreve dhe ndërtimin e fortifikimeve.

Në muajt e fundit, forcat e sigurisë kanë kryer bastisje të përsëritura mbi bizneset me punëtorë migrantë, kryesisht nga vendet e Azisë Qendrore postsovjetike.

Ata që kanë marrë tashmë pasaporta ruse shpesh rekrutohen me forcë, raportojnë mediat ruse.

Të tjerëve u premtohet një proces më i lehtë natyralizimi nëse dërgohen në front.

Sipas Putinit, 700 000 ushtarë rusë janë aktualisht në vijën e frontit në Ukrainë.

Disa prej tyre u rekrutuan në një mobilizim të pjesshëm në vjeshtën e vitit 2022.  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Shkolla 9-vjeçare “Avni Rustemi”, gati në shtator
Artikulli tjetërDita e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla e të Mesme