Ballina Aktualitet

Zbardhet ngjarja e djeshme në Shkodër

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Zbardhet ngjarja e ndodhur mbasditen e djeshme në lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër.

Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër nën drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes në tregun e rrobave të përdorura, ku si pasojë e zjarrit të rënë u shkaktuan dëme të shumta materiale.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera rezultoi se dy të mitur 9-vjeçarë që kanë qenë duke luajtur në afërsi të tregut, dyshohet se kanë shkaktuar zjarr në tregun e rrobave të përdorura.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Zjarrfikës të shumtë u angazhuan mbrëmjen e djeshme për shuarjen e zjarrit të fuqishëm i cili shkaktoi dëme materiale. Mjete të ndryshme erdhën në ndihmë për frenimin e flakëve nga Malësia e Madhe, Lezha, Ulqini dhe Tivari.

Bashkia e Shkodrës bëri me dije se u angazhuan 21 mjete zjarrfikëse nga reparti i Shkodrës dhe zonat e tjera, së bashku me 110 efektivë zjarrfikës; 30 efektivë të Policisë Shkodër, 20 efektivë të Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë dhe 3 autoambulanca me personel nga Spitali i Shkodrës. Në përpjekje për të ndihmuar në zjarr, janë përfshirë edhe 110 punonjës të Bashkisë Shkodër dhe 30 efektivë të Repartit Ushtarak Vau Dejës.

Po kësht, edhe helikopteri “Cougar” dhe një grup efektivësh të FA iu bashkuan forcave zjarrfikëse në aksionin për shuarjen e zjarrit të rënë në lagjen Qafë Hardhi.

Pas thuajse 5 orësh në luftë me flakët u arrit që zjarri të shuhej dhe pa asnjë rrezik për jetë njerëzore.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTifozët kuqezinj pushtojnë Dortmundin, Balla: Shqiptarët dinë të shkëlqejnë me sjelljen e tyre
Artikulli tjetër“EURO 2024”, Itali – Shqipëri publikohen formacionet zyrtare