Ballina Aktualitet

Programi i PD, Bejko: Lufta ndaj korrupsionit, e panegociueshme

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko tha sot gjatë një interviste televizive, se prezantimi i programit politik një vit përpara zgjedhjeve është shenjë e emancipimit të një partie politike.

Sipas tij, programi i prezantuar nga Partia Demokratike më 1 qershor, gjatë Kuvendit Kombëtar të selisë blu, është tërësisht i realizueshëm.

“Është dhe një moment emancipues për shoqërinë tonë, sepse duke e filluar debatin shpejt, do të bësh të mundur që edhe ata që sot janë indiferentë ndaj lajmit që Partia Demokratike ka nxjerrë një program, nesër do të bëjmë duke e vazhduar dhe e thelluar debatin, nesër do të bëhen kuriozë të dëgjojnë çfarë përfitojnë, ku janë të përfshirë në këtë program, ku gjenden interesat e mia në këtë program të kësaj force”, tha Bejko.

Nënkryetari i PD, tha më tej se lufta ndaj korrupsionit është pikë e panegociueshme në program.

“Pika e panegociueshme për mua është antikorrupsioni, pra merr reforma strukturore e shtetit që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit dhe me ndarjen e qartë të pushteteve. Këtë e kemi tek pika e parë e programit të Partisë Demokratike”, theksoi Bejko.

Ai tha se PD do të vazhdojë mbështetjen për reformën në drejtësi.

“Ne kemi propozuar jo vetëm që do ta mbështesim drejtësinë e re dhe do të krijojmë të gjithë klimën që kjo drejtësi të zhvillohet dhe të punojë si në aspektin e burimeve njerëzore, ashtu dhe në aspektin e burimeve financiare, por edhe në ndërtimin e godinave të infrastrukturës. Se pa këto kushte, nuk punojmë dot, nuk jemi efikasë në reforma”, përfundoi Bejko.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeliaj me socialistët e Njësisë 5: Mobilizim për fitoren e katërt të Edi Ramës
Artikulli tjetërGAZË – Hamasi: Të paktën 210 palestinezë të vrarë në operacionin e pengjeve izraelite