TIRANË, 28 maj /ATSH/ Kroçera “Seabourn Quest”, ose siç quhet ndryshe “Eksploruesja e Mesdheut”, është ndalur këtë mëngjes për herë të parë në Durrës duke sjellë 450 vizitorë nga 22 shtete të botës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga vizita në bord dhe takimi me stafin e kroçerës, të kryebashkiakes së Durrësit, Emiriana Sako.
Rama theksoi se kroçera “Seaborne Quest” ka sjellë në Durrës vizitorë që prej Kanadasë e Kilit, deri nga Malajzia dhe Australia.
“Ata po shijojnë bukuritë e Durrësit, Krujës dhe Tiranës, duke e bërë Shqipërinë pjesë të pandashme të tureve nëpër xhevahiret e Mesdheut”, u shpreh Rama.
Anija do të qëndrojë katër ditë e ankoruar, ndërsa itinerari i turistëve përfshin vizita në qytetet e Tiranës, Durrësit, Krujës dhe Beratit.
Më herët, Sako u shpreh se bashkia i ka marrë të gjitha masat për një sezon turistik të suksesshëm e tashmë mirëpriten çdo ditë turistët e shumtë që vizitojnë qytetin bregdetar.
Kjo kroçerë pritet të pasohet gjatë kësaj vere edhe nga shumë kroçera të tjera, të cilat e kanë përfshirë tashmë bregdetin shqiptar në itineraret e tyre në çdo sezon turistik.
Vitin e kaluar Shqipëria mirëpriti më shumë se 10 milionë turistë të huaj, një pjesë e mirë e tyre, vizitorë të ardhur me kroçera nga porti i Durrësit.























