Ballina Flash

Këshilli Ndërfetar, kundër projektligjit “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i përbërë nga komunitetet fetare të vendit tonë ka realizuar dëgjesën e parë publike me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lidhur me projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”.

Në takimin e zhvilluar me zv/ministret e Shëndetësisë Mira Rakacolli dhe Entela Ramosaçaj, si dhe përfaqësues të tjerë nga ministria, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar, Gent Kruja kërkoi moslejimin e mëmësisë zëvendësuese në Shqipëri, për shkak se cenon rëndë dinjitetin e gruas dhe fëmijës.

“Projektligji përmban disa pika që për në janë shumë të rëndësishme që në këtë formë të mos kalojnë siç është sterilizimi, rritja e moshës së abortit, nënat zëvendësuese dhe pjesë të tjera që përmban ky ligj. Për komunitetet fetare në Shqipëri përfaqësuesit e Ministrisë shprehën argumentet e tyre pro këtij projektligji, pra mbeten të hapur për bashkëpunim me KNSH në lidhje me këtë projektligj“, theksoi Kruja.

Kruja u shpreh se “jemi kundër parashikimit të sterilizimit si metodë e planifikimit familjar, veç rasteve kur ka tregues mjekësorë, sepse sterilizimi është një ndërhyrje mjekësore e pakthyeshme dhe ndikon negativisht në shëndetin dhe jetën e personit, i ndaluar edhe në vendet më të zhvilluara, si dhe gjithashtu sepse bie ndesh me parimet që mbrojnë familjen dhe jetën”.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë kërkoi që projektligji ‘Për shëndetin seksual dhe riprodhues’,  të mos kalojë në Kuvendin e Shqipërisë.

Prej disa ditësh ky pr/ligj i është nënshtruar konsultimit publik në regjistrin elektronik të konsultimit publik, procedurë kjo që ndihmon në përthithjen dhe reflektimin e mëtejshëm të opinioneve të grupeve të interesit, profesionistëve të shëndetësisë, organizatave jofitimprurëse, atyre të shoqërisë civile, të cilat janë të angazhuara në çështje të shëndetit seksual dhe riprodhues, të të drejtave të të rinjve dhe adoleshentëve, grave etj.

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSula: I gatshëm të votoj pro komisionit të posaçëm nëse nuk preket SPAK dhe GJKKO
Artikulli tjetërParashikimi i motit, e mërkurë, 28 maj 2024