TIRANË, 21 maj /ATSH/ Banka e Shqipërisë po diskuton me Bankën Botërore për të ndërtuar një ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka.
Kështu u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një seancë dëgjimore në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave mbi subjektet financiare jobanka që blejnë kredi me probleme, teksa parashtroi nevojën për disa ndryshime të tjera ligjore, që lidhen me problemet për mbledhjen e kredive të këqija.
“Konkretisht, ne gjykojmë se është e nevojshme të bëhen ndryshime në Kodin e Procedurës Civile për rregullimin e të gjitha veprimeve me karakter procedural të përmbaruesve gjyqësorë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë”, tha Sejko.
Gjithashtu vijoi ai, kemi propozuar të përkthehen në ligje, vendosja e limitit për normën e kredisë dhe tavaneve për penalitetet.
Sejko informoi se, “konkretisht, Banka e Shqipërisë kufizoi penalitetet që i ngarkohen kredimarrësit të kredisë konsumatore në masën 30% të shumës së detyrimit të papaguar. Kjo erdhi si domosdoshmëri, në kushtet kur penalitetet e akumuluara për kreditë me probleme mund të kalojnë disa herë principalin e kredisë. Gjithashtu, u kufizuan normat e interesit të kredisë konsumatore, përmes adoptimit të konceptit të “NEI-t maksimal”, si një kufi i sipërm për normat efektive të interesit. Ky ndryshim synon forcimin e mbrojtjes së konsumatorit ndaj kostove të larta të kredisë, të shpërndara në interesa, komisione e tarifa”.
Ndër ndryshimet e tjera Guvernatori përmendi, shndërrimin e të gjitha subjekteve financiare jobanka në shoqëri aksionare, me qëllim rritjen e kontrollit të brendshëm dhe organizimin e drejtimit me 2 nivele; dhe regjistrimin kontabël vetëm të principalit dhe interesit në rastin e blerjes së portofoleve, të paktën deri në përcaktimin e tavaneve ligjore për normat e intereresit.
Sejko vuri në dukje se, rastet e kredive me probleme që janë në përmbarim, BSH-ja nuk i ndërpret dot, por theksoi ai, “do të duhet që organet e hetimit, të shohin këto raste bashke me punën e përmbaruesve”.






















