TIRANË, 12 maj /ATSH/ Kryetarja e Komisionit Hetimor për PPP-të në Shëndetësi, Albana Vokshi kërkoi sot nga deputetët e mazhorancës që të miratojnë planin e përbashkët hetimor.
“Sot kam dy fjalë në adresë të Kryetares së Kuvendit. Parlamenti i Shqipërisë ka patur problemet e veta këto 3 dekada, por kurrë nuk ka qenë në një pikë kaq të ulët sa me Lindita Nikollën. Më vjen shumë keq ta pohoj, por nën drejtimin e saj, parlamenti sillet si një institucion në varësi të qeverisë, ku urdhri i Edi Ramës është ligj”, tha Vokshi.
“Me shqetësimin e bojkotit nga ana e deputetëve socialistë, për bllokimin e punës në komision, për mbledhjet e paligjshme të thirrura në mënyrë të njëanshme, i jemi drejtuar Kryetares së Kuvendit zyrtarisht, me disa kërkesa, me qëllim që të kryejë një rol për rikthimin e normalitetit”, nënvizoi Vokshi.
Sipas saj, “janë pesë kërkesa të tilla, duke nisur që nga ngritja e shqetësimit nga kryetari i grupit, deri tek kërkesat e mia për funksionimin e organeve të Kuvendit apo takim me deputetët e opozitës”.
“Mund të habiteni, por nuk ka asnjë përgjigje për të pesë kërkesat tona. Kur bëhet fjalë për t’i rikthyer dinjitetin Parlamentit dhe për të vendosur ligjshmërinë përpara interesit partiak, Lindita Nikolla zhduket”, tha Vokshi.
“Në këtë frymë antishtet dhe antiparlament, ka vepruar edhe Sekretariati për Votimin dhe Procedurat. I kam dërguar Klotilda Bushkës 3 kërkesa për mbledhjen e tij, prova për shkeljen e ligjit nga ana e kolegëve të saj socialistë në komision, por kanë kaluar 2 javë dhe qëndrimi është i njëjtë si i Lindita Nikollës: nuk ka asnjë përgjigje”, theksoi Vokshi.
“Besoj të gjithë e keni të qartë se këto janë qëndrime të koordinuara për të mos lejuar kontrollin parlamentar të qeverisë. Për të penguar hetimin e aferës 200 milionë euro të koncesioneve të sterilizimit dhe të check up-it”, tha më tej Vokshi.
Vokshi i bëri thirrje kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës që “urgjentisht të reagojë ndaj kërkesave tona e të vërë në shina të normalitetit komisionin hetimor e të mos pengojë hetimin parlamentar dhe zbardhjen e abuzimit prej 200 mln EURO për dy koncesionet në shëndetësi”.
Ajo përsëriti ftesën për pjesëmarrje të deputetëve të mazhorancës në dy mbledhje që ka thirrur ditën e hënë atë të kryesisë së komisionit, në orën 14:00, për të vendosur bashkë me nënkryetarin socialist dhe sekretarin si do të ecet përpara dhe mbledhjen e komisionit në orën 15:00 me 2 kërkesa në rendin e ditës, të miratohen kërkesat për informacion dhe t’u jepet kohë ekspertëve për hartimin e një plani të përbashkët hetimor.
“Si pjesë e opozitës, jemi të vendosur për të bërë transparencë për një nga aferat më korruptive të qeverisë së Edi Ramës. Pengesat artificiale në komisionin hetimor nuk kanë për të na penguar. Kush ka marrë pjesë në krimin e vjedhjes së shëndetit të shqiptarëve, nuk duhet të flejë i qetë! Çdo qindarkë e vjedhur duhet t’u kthehet shqiptarëve!”, u shpreh më tej Vokshi.
/r.e/























