TIRANË, 10 maj /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Taulant Balla bëri sot thirrje për t’i thënë ndal dhunës me bazë gjinore.
Balla solli shembullin që po heton AMP për një punonjës të policisë së Himarës, i cili përndoqi një kolegen e tij.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit po hetojnë një rast dhune dhe përndjekjeje të një punonjëseje të Policisë, për të vendosur para drejtësisë personin e dyshuar, punonjës policie i përjashtuar tashmë nga Policia e Shtetit”, u shpreh Balla.
“Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune. Dhuna shpesh manifestohet mbrapa dyerve të mbyllura apo në telefon, por kjo është një temë që duhet bërë publike”, theksoi ai.
“Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Ajo na intereson të gjithëve. Dhe ne, e gjithë shoqëria, duhet t’i nxisim viktimat e dhunës ta denoncojnë. Nuk mund të ketë asnjë justifikim ndaj dhunës, as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund!”, u shpreh Balla.
/r.e/























