Ballina Aktualitet

Komisioni për TIMS, Gogu-Salianjit: Sot është dita e ekspertëve, jo e gjyqit të radhës

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Komisioni Hetimor për çështjen e të dhënave të sistemit TIMS, ka nisur me diskutime mbi planin hetimor të propozuar nga ekspertët, por që nuk kanë dalë me plan të përbashkët.

“Tre ekspertë kanë gjetur dakordësi për planin, teksa eksperti i katërt ka plan tjetër hetimor. T’i dëgjojmë planet hetimore të paraqitura”, tha deputeti i PD, Ervin Salianji, kryetar i komisionit.

“Ju po ju duket sikur zonja në fjalë ka planin e saj, unë se kam këtë ndjesi, prandaj duhet ta lejojmë ta dëgjojmë”, u shpreh nënkryetari i komisionit, deputeti i PS, Toni Gogu.

“Këtë moment të përgatitjes së draftit e drejtojnë ekspertët. Propozoj të dëgjohen ekspertët deri në fund dhe pasi ata s’kanë gjë për të thënë të hapet një seancë pyetjesh. Kjo është dita e ekspertëve, jo e jona që të vazhdojmë me gjyqin e radhës. Menjëherë t’i kthehemi normalitetit dhe t’i shmangim komentet pezhorative të tipit që “sot nuk është dita e teorisë”, deklaroi Gogu.

Debati mes tyre vijoi më tej ndërsa nënkryetari Toni Gogu, tha se ekspertët në këtë fazë kanë qasje të ndryshme precedurale lidhur me Planin Hetimor.

“Më vjen jashtëzakonisht keq që kemi hyrë në një kurth. Ata kanë diskutime midis tyre për qasje proceduriale. Nuk do më dëgjoni mua t’u vë etiketime ekspertëve apo t’u vë nofka. Partia Socialiste ka një plan hetimor, kemi dhe votat. Por po presim siç thotë ligji që ekspertët të propozojnë. Në këtë moment ata kanë dy qasje procedurale. E keni çuar në drejtim të paditur këtë komision”, deklaroi Gogu duke replikuar me kryetarin e komisionit hetimor,  Salianji.

Komisioni hetimor parlamentar “Tims” ka në fokus hetimin e rrjedhjes së të dhënave nga sistemi TIMS.

Për hetimin parlamentar janë kërkuar dokumente dhe informacione shtesë nga një sërë institucionesh shtetërore si Kryeministria, Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, SPAK dhe Trupi Diplomatik i akredituar në Shqipëri.

Komisioni hetimor u ngrit me kërkesën e Partisë Demokratike.

Seanca po vijon me debate për planin hetimor.

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLejuan ndërtime pa leje, arrestohen 2 inspektorë të IMT Kukës
Artikulli tjetërYzeiraj: Prioritet, krijimi i bazës së të dhënave të pronave shtetërore dhe publike