Ballina Aktualitet

5 Maji, Meta: Çdo sakrificë për të mbrojtur lirinë

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në kuadër të ditës së përkujtimit të të rënëve për lirinë e Shqipërisë. Pasi vendosi buqeta me lule në tek memoriali “Nënë Shqipëri”, pranë Varrezave të Dëshmorëve, Meta u ndal në një prononcim për mediet, ku nënvizoi sakrificën sublime që dëshmorët e kombit ndërmorën për çlirimin e vendit.

“Kjo ditë na kujton sa gjak është derdhur për çlirimin dhe lirimin e  Shqipërisë. Në këtë ditë që na kujton se liria e ka çmimin shumë të shtrenjtë dhe duhet bërë çdo sakrificë për të mbrojtur dhe për ta merituar atë”, tha Meta.

“Jemi këtu sepse besojmë te shenjtëria e gjakut të dëshmorëve. Besoj shumë te Atdheu, dhe Atdheu na duhet që të jetojmë të lirë, siç shkruante Margarita Tutulani. Kjo forcë politike duhet t’i dalë zot vendit dhe mbi të gjitha atdheut. Ndaj dhe kemi në fokus 5 prioritete kryesore për 4 milionë shqiptarë”, nënvizoi Presidenti i Partisë së Lirisë

Dita e Dëshmorëve të Kombit njihet si dita e nderimit të atyre që kanë dhënë jetën për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 Maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBesimtarët ortodoksë festojnë Pashkën
Artikulli tjetërOsmani uron Pashkën ortodokse: Shpresë për paqe e harmoni