Ballina Aktualitet

Politika uron festën e Fitër Bajramit

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Politikanët shqiptarë uruan sot festën e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishte në një kënd lodrash në Klos, nga ku bashkë me Sarion e vogël uroi të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

“Gëzuar nga ne të dy Bajramin! Qoftë paqja dhe begatia e ulur këmbëkryq në vatrat tuaja. Ne këtu nga Klosi, plot me fëmijë rrethuar kemi kaluar një ditë shumë të bukur. Gëzuar të gjithëve”. tha Balluku.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi uroi agjërim të pranuar të gjithë myslimanëve për sakrificën dhe përkushtimin e treguar në muajin e shenjtë të Ramazanit.

“Me faljen e Namazit këtë mëngjes nga xhamia ‘Iljaz Bej Mirahori’ në Korçë, Gëzuar Fitër Bajramin! Sjellë kjo ditë e bekuar harmoni dhe begati në familjet tuaja”, shkruan Peleshi në mesazhin e tij të urimit.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani uroi sot Bajram të bekuar për të gjithë besimtarët myslimanë. “Agjërim e lutje të pranuar, në mbyllje të muajit të sakrificës e përkushtimit”, uroi Hasani.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja uroi gëzuar Fitër Bajramin për të gjithë besimtarët myslimanë. “Me paqe në shpirt dhe Zotin në zemër, ju uroj gëzuar”, shkruan Manja në mesazhin e urimit.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh se “pas një muaji të begatë agjërimi, lutjesh, sakrificash, reflektimi, Fitër Bajrami vjen si një shpërblim i gjithë përkushtimit dhe dedikimit përgjatë muajit të Ramazanit. “Gëzuar Fitër Bajramin të gjithë besimtarëve myslimanë”, uroi Gonxhja.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh se Bajrami i Madh, si një festival humanizmi, na rikujton se sa pasuri e pamasë është dhimbsuria e Zotit, liria e besimit, dashuria për familjen e për njerëzit, shërbimi për të dobëtit.

Edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uroi lutje të pranuara dhe mirësi dhe begati në çdo familje shqiptare.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNë ditën e Fitër Bajramit bëhet thirrje për kujdes ndaj fëmijëve dhe kundër ligjit të ri për familjen
Artikulli tjetërMuzeu “Marubi” uron me foton më të vjetër të Tiranës, shkrepur nga Pietro Marubbi, ku dallohet Xhamia e Et’hem Beut dhe Kulla e Sahatit