TIRANË, 9 prill /ATSH/ Shqipëria ka arritur progres në reformat e tregut të energjisë.
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku u prezantua Raporti Vjetor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.
Kryetari i këtij Sekretariati Artur Lorkowski u shpreh se në vitin 2023 Shqipëria ka bërë një përparim të moderuar në këtë sektor, ku Shqipëria vitin e kaluar mbajti Presidencën e radhës. Ai po ashtu vlerësoi, kontributin e Shqipërisë gjatë mbajtjes së Presidencës, përparimin e implementimit të performancës së energjisë, rëndësinë e caktimit të Parkut Vjosa si Park Kombëtar etj.
“Dua te theksoj faktin për sistemin e garancive të origjinës, dhe ky regjistër i garancive të origjinës është themeluar në Shqipëri me rregullat e reja, dhe kjo është shumë e rëndësishme për të pasur këto sisteme garancie të cilat duhet të jenë të njëjta me sistemet e Bashkimit Europian”, vuri në dukje Lorkowski.
Po ashtu, ai tha se Shqipëria ka një rritje stabël për vitin 2023 në të pesta shtyllat e vlerësimit, si edhe një përparim të dukshëm në to.
Lorkowski theksoi rëndësinë për krijimin e një sistemi të duhur për monitorimin e gazrave, e cila është një pikë thelbësore dhe fillestare për të krijuar sistemin e gazifikimit në vend.
Pas prezantimit të Raportit, kryetari i komisionit Arben Pëllumbi vlerësoi punën e këtij Sekretariati dhe shprehu gatishmërinë e komisionit për të punuar së bashku e për të bërë më të mirën e mundshme.























