TIRANË, 2 prill /ATSH/ Nën drejtimin e kryetares, Albana Vokshi, u zhvillua mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi.
Në rendin e ditës të mbledhjes së sotme, ishte miratimi i ekspertëve të komisionit, miratimi i kërkesave për informacion si dhe caktimi i mbledhjes pasardhëse.
Pas kërkesës së kryetares Vokshi, Komisioni mbajti një minutë heshtje në nder të viktimave të 2 Prillit 1991.
Në fillim të mbledhjes, anëtarët e komisionit miratuan procesverbalin e mbledhjes së komisionit, të datës 25.03.2024.
Po ashtu, sipas rendit të ditës, u caktuan edhe ekspertët ligjor pranë komisionit, përkatësisht Bledar Skënderi dhe Ermir Bejtja përfaqësues të mazhorancës dhe Franci Nuri dhe Meri Lika përfaqësues të opozitës.
Ndërsa, kryetarja Vokshi propozoi futjen në rend dite të Formularit për Konfliktin e Interesit, kërkesë e cila u rrëzua me 8 vota kundër dhe 7 vota pro.
Më tej, edhe pika tjetër e rendit të ditës për miratimin e listës së kërkesave për informacion që do t’i dërgohen 12 institucioneve, u rrëzua me 8 vota kundër dhe 7 pro.
Nënkryetari i Komisionit, Plarent Ndreca u shpreh se kërkesat bëhen nga komisioni përmes ekspertëve ligjorë të zgjedhur.
Mbledhja vazhdoi me diskutime të ndryshme.
/r.e/






















