TIRANË, 14 mars /ATSH/ Norma e Interesit për bonot e thesarit 12-mujore pësoi rënie në ankandin e kësaj jave, duke reflektuar përmirësimin e likuiditetit në tregun financiar, por edhe rënien e presioneve inflacioniste në ekonomi.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 3.61%, nga 3.63% që kishte qenë në ankandin e fundit të muajit shkurt.
Nga 8.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave në ankand arriti në më shumë se 11.9 miliardë lekë. Pro rata apo pjesa e pranuar e kërkesave konkurruese rezultoi mjaft e ulët, në nivelin 6.34%.
Yield-et e bonove 12-mujore paraqiten në rënie edhe krahasuar me një vit më parë. Bonot që u rifinancuan në ankandin e të martës ishin emetuar një vit më parë me një yield mesatar të ponderuar prej 3.91%, megjithëse në atë kohë norma bazë e interesit ishte ndjeshëm më e ulët, në nivelin 2.75%, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë.






















