TIRANË, 29 janar/ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkon përjashtimin e 19 deputetëve të opozitës. Bëhet fjalë për deputetë të grupimit të “Rithemelimit”, si dhe mbështetës të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi.
Sipas shkresës së dërguar në Sekretariatin e Etikës dhe Rregullores, argumentohet se deputetët e opozitës prej kohësh vijojnë skenarin e bllokimit përmes zhurmuesve dhe jo vetëm të punimeve në seancave plenare, por jo vetëm, pasi bllokimi ka vijuar edhe në komisionet parlamentare të cilat kanë vijuar punën online. Sipas argumenteve të PS, një pjesë e këtyre deputetëve të opozitës bllokuan dhe punën e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.
Sipas grupit të PS, Albana Vokshi, Sorina Koti, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Isuf Çela, Tritan Shehu, Lefter Gështenja, Helidon Bushati, Xhelal Mziu, Edmon Spaho, Oerd Bylykbashi, Ervin Salianji, Saimir Korreshi, Kasëm Mahmutaj, Ramadan Likaj, Kastriot Piroli, Qani Xhafa, Lodovik Hasani, Luan Baçi, kanë bllokuar seancën plenare.
Pritet mbledhja e Sekretariatit të Etikës për të vlerësuar kërkesën e PS dhe vendosjen e masave ndëshkimore.

























