TIRANË, 13 Janar /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa i kërkoi sot SPAK që të hetojë skemën e inceneratorëve.
Sipas saj, “marrëdhënia tjetër ku del qartë lidhja incenerator – bashki Tiranë, është edhe kontrata për marrjen e 12 automjeteve me kontratë huapërdorje nga koncesionari i Inceneratorit të Tiranës për Policinë Bashkiake”.
“Në asnjë pikë të marrëveshjes, inceneratori i Tiranës nuk kishte këto detyrime, por as nuk kishte lidhje me makina me huapërdorje”, tha ajo.
Sipas saj, “ketë e shpjegon edhe fakti se vetë Integrated BV nuk i zotëronte këto makina që i ka dhënë në përdorim bashkisë, por është detyruar të lidh një marrëveshje tjetër me për t’i marr me qera këto makina nga një kompani private për t’ja dhënë më pas Bashkisë së Tiranës. Kompania private që janë marr disa nga makinat me qira nga inceneratori, është Albarent, kompani në pronësi të ministrit të bërë gati për ekonominë Blendi Gonxhe dhe administrim në atë kohë të bashkëshortes të tij”.
Zhupa theksoi se, “kjo marrëdhënie duhet hetohet nga SPAK”.
Më herët edhe anëtari i Kryesisë së Rithemelimit të PD, Belind Këlliçi i bëri thirrje SPAK që të hetojë publikimin e të dhënave të sistemit TIMS për prokurorin e SPAK, Klodian Braho.
“Mirel Mertiri ka bëri publik kallëzimin që kishte depozituar pranë SPAK, ndaj prokurorit Klodian Braho. Bashkëlidhur me kallëzimin, Mirel Mertiri kishte vendosur disa dokumente, ku më i rëndësishmi prej tyre, ishin të dhënat e sistemit TIMS, për këtë prokuror”, tha Këlliçi.
“I bëjmë thirrje drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, që në kushtet kur opozitës i është bllokuar mundësia nga Edi Rama, për ngritjen e komisionit hetimor për hetimin për vjedhjen e sistemit TIMS, të nisë menjëherë hetimet kryesisht për këtë mega skandal, duke çuar përpara drejtësisë këdo individ, që ka cënuar jo vetëm prokurorët apo qytetarët e zakonshëm, por mbi të gjitha ata individë apo zyrtarë, që kanë cenuar sigurinë tonë kombëtare dhe partneritetin tonë me aleatët strategjike”, shtoi Këlliçi.























