TIRANË, 12 janar /ATSH/ Gjithëpërfshirja dhe angazhimi i përfituesve të Programit “BE për shkollat” në kontekstin e parimit bazë rindërtojmë së bashku, kanë krijuar tashmë një standard të mirëfilltë të transparencës dhe llogaridhënies.
Së fundmi, ekspertë të linjës dhe institucioneve, zhvilluan një vizitë monitoruese pranë kantierit të ndërtimit të shkollës 9-vjeçare “Emin Duraku” në Tiranë.
Pjesëmarrësit panë nga afër mjediset dhe konfirmuan nëse strukturat arsimore janë realizuar sipas nevojave të tyre. Gjithashtu, ata ndoqën edhe progresin e punimeve të deritanishme dhe u informuan në kohë reale nga inxhinierët dhe stafi i programit për sigurinë, cilësinë e materialeve të përdorura, punime të ndryshme etj.
Nga kjo shkollë që po rindërtohet nga e para falë “EU4Schools”, përfitojnë 1,300 nxënës, 59 mësues dhe rreth 87,000 banorë të komunitetit. Në Bashkinë e Tiranës, nëpërmjet këtij programi po ndërtohen/riparohen 7 objekte arsimore.
Deri më sot në kontekstin e EU4Schools janë zhvilluar 47 vizita monitoruese me pjesëmarrjen e 797 personave.
“EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNDP Albania.























