TIRANË, 5 janar/ATSH/ Në fshatin Bardhaj, Shkodër, ka nisur puna për ndërtimin e argjinaturës mbrojtëse në lumin Kir.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci tha se “ky investim vjen si kërkesë e bashkisë Shkodër ndaj Bordit të Kullimit për ndërhyrjen në këtë zonë, me qëllim minimizimin e rrezikut të përmbytjeve”.
Vitin e kaluar bashkia ndërhyri për mbrojtjen me gabiona të pjesës shkëmbore të shtratit të lumit Kir pranë Urës së Mesit, në Shkodër.
Lumi Kir, i cili vjen nga Alpet shqiptare gjarpëron përmes Postribës dhe kalon në periferi të qytetit të Shkodrës. Uji i kristaltë dhe pjesët shkëmbore ofrojnë një bukuri të rrallë në shumë zona ku rrjedh ky lum.
/k.s/























