TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Ministri i Brendshëm Taulant Balla komentoi sot vendimin e Kuvendit që autorizon SPAK të ndryshojë masën e arrestit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Balla u shpreh se ligji është i barabartë për të gjithë.
“Koha kur në Shqipëri nuk zbatoheshin vendimet dhe urdhrat e prokurorëve ka marrë fund njëherë e përgjithmonë. Reforma në Drejtësi është shpresa që kanë të gjithë shqiptarët, që para ligjit, duhet të jenë të gjithë të barabartë. Vendimet e prokurorisë dhe të gjykatave janë të zbatueshme për të gjithë dhe nuk ka askush mundësinë që t’i shmanget”, u shpreh ai.
Balla theksoi se “sot jemi në një moment të rëndësishëm historik, të një revanshi të forcës dhe sundimit të ligjit kundër krimit të organizuar”.
“Falënderoj SPAK-un, prokurorët e kësaj strukture të posaçme, me të cilët puna vazhdon për t’i dhënë një goditje sa më të fortë në këtë luftë frontale që kemi me krimin e organizuar. Korrupsioni ka qenë dhe mbetet një prej sfidave më të rëndësishme të luftës që agjencitë ligjzbatuese duhet të bëjnë për ta minimizuar dhe ta luftuar. Në këtë këndvështrim mendoj që sundimi i ligjit dhe barazia para ligjit janë disa parime me të cilat askush nuk mund të guxojë që të kthehemi pas në kohën kur nuk zbatoheshin vendimet dhe urdhrat e drejtësisë”, tha Balla.
Ministri informoi se parashikohen ndryshime ligjore për sa i përket Agjencisë së Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
“Shumë shpejt do të shkojmë në Kuvendin e Shqipërisë për ta ndryshuar legjislacionin. Në cilësinë e ministrit të Brendshëm, kam urdhëruar ndalimin e shitjes të pronave të sekuestruara te krimi, sepse duke mësuar sado pak nga eksperienca italiane, është që shpesh herë kur këto prona të sekuestruara dhe të konfiskuara, kur dalin në shitje blihen po nga elementët e krimit, të cilëve u janë konfiskuar. Kështu që nuk do të ketë më shitje të pronave të konfiskuara. Le t’i vendosin këto prona të konfiskuara dhe sekuestruara në dobi të OJQ-ve, të cilat merren me fenomene të rënda sociale”, tha ai.
/m.m/r.e/






















