TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, mbajti sot një fjalë përshëndetëse në Konferencën Vjetore të Avokatit të Popullit 2023 me temë “75-Vjetori i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe 25-Vjetori i Kushtetutës së Shqipërisë: Evolucioni i të drejtave të njeriut në Shqipëri”.
Në Konferencë ishin të pranishëm edhe Klotilda Bushka, kryetare e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Holta Zaçaj, kryetare e Gjykatës Kushtetuese, Ulsi Manja, ministër i Drejtësisë, Fiona McCluney, koordinatore e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Giulia Re, kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri etj.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Felaj vlerësoi punën e Avokatit të Popullit për një sërë çështjesh konkrete, si për zgjidhjen e ankesave të qytetarëve, mundësimin e respektimit të të drejatve të tyre nga institucionet shtetërore, inspektimin e kushteve në institucionet e shëndetit mendor dhe të privimit të lirisë, monitorimin e veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, përfshirjen në procesin legjislativ, aktivitetet për edukimin ligjor të nxënësve për të drejtat themelore të njeriut.
Në vijim, Felaj nënvizoi se, “rëndësia e Deklaratës për të Drejtat e Njeriut qëndron në rolin e saj themelor si një standard universal për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave themelore të njeriut. Një demokraci e shëndoshë është ajo kur institucionet e saj punojnë së bashku për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve. Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Kuvendi janë dy shtylla të fuqishme në këtë përkushtim për të drejtat e njeriut. Për të përmirësuar efikasitetin e funksionit të Avokatit të Popullit, duhen marrë parasysh disa masa. Përforcimi i pavarësisë së Avokatit të Popullit, sigurimi i burimeve adekuate dhe mundësia e trajnimeve të rregullta për të qëndruar të informuar për zhvillimet e të drejtave të njeriut janë thelbësore. Gjithashtu, nxitja e bashkëpunimit mes Avokatit të Popullit dhe Kuvendit mund të sjellë rezultate të premtuara. Avokati i Popullit duhet të intensifikojë reagimin institucional me vizibilitet më të shtuar në publik për rekomandimet që nuk zbatohen nga autoritetet publike, me qëllim rritjen e besimit të publikut ndaj këtij institucioni kushtetues. Kuvendi duhet të informohet për institucionet që nuk zbatojnë rekomandimet e adresuara, në mënyrë që të mbështesë Avokatin, nëpërmjet instrumenteve të kontrollit që ligji i atribuon. Duhet të rriten aktivitetet ndërgjegjësues dhe informues në zyrat rajonale dhe të intensifikohen sesionet informuese në shkolla. Me qëllim rritjen e përgjegjshmërisë së pushtetit vendor të hartohen masa dhe të zhvillohet një mekanizëm për të forcuar bashkëpunimin me organet dhe administratën e pushtetit vendor. Bashkëpunimi ynë është thelbësor për të siguruar një shoqëri më drejtë dhe të përfshirë”.
Klotilda Bushka, kryetare e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ishte folëse në panelin e parë të Konferencës “25-Vjetori i Kushtetutës së Shqipërisë – Nevoja për interpretim Kushtetues dhe hapat për përmirësime legjislative”.
Bushka në fjalën e saj u shpreh se, është detyrë e të gjithëve të garantojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
“Ato janë në tekstin kushtetues si themeli i saj për të garantuar që njerëzve u respektohen këto të drejta veçanërisht në kohë të vështira. Ndaj puna e institucioneve të pavarura, si Avokati i Popullit dhe koordinimi i zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit me Kuvendin është tejet i rëndësishëm për të garantuar mbrojtjen e këtyre garancive kushtetuese. Nga ana tjetër të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, mbrojtjen e tyre dhe rivendosjen e të drejtave të shkelura e gjejmë më së miri në veprimtarinë gjyqësore, e cila duhet të jetë e pavarur, profesionale dhe në thelb të saj duhet të ketë shtetin e së drejtës”, nënvizoi Bushka.
Ndërsa Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, në fjalën e saj përshëndetëse, ndër të tjera, u shpreh se “ne festojmë sot Deklaratën dhe i bëjmë homazh atyre që kanë përdorur peshën e saj të jashtëzakonshme në luftën për liri, pavarësi, barazi dhe drejtësi, për një botë me dinjitet për të gjithë ata që i përkasin familjes njerëzore. … Të drejtat e njeriut nuk janë thjesht fjalë në letër, por janë norma juridike universale të zbatueshme. Ato janë themeli i paqes dhe shënojnë rrugën drejt një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për sot, për ne dhe për brezat që do të vijnë”.
Punimet e konferencës u zhvilluan në dy panele në të cilat u diskutuan respektivisht, nevojat për interpretim të Kushtetutës dhe hapat për përmirësime legjislative, si dhe roli i agjencive të Kombeve të Bashkuara që prej premtimit të të Drejtave të Njeriut 75 vite më parë, tek arritjet dhe sfidat aktuale.
/r.e/























