Ballina Ekonomi

Rama: Ndryshime në ligjin e Prokurimeve, inteligjenca artificiale në procedurat e tenderimit

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se së shpejti do të dërgohen në parlament një sërë ndryshimesh në ligjin për Prokurimet Publike.

I ftuar në një studio televizive, Rama tha se “kemi adresuar sistemet dhe kemi bërë progres, por ka shumë për të bërë akoma për ta shkëputur individin nga monopoli i vendimmarrjes në çdo nivel dhe për t’i dhënë sa më shumë fuqi mekanizmave të shtetit që të jenë mbi vullnetin e individëve.

“Do çojmë në parlament një sërë ndryshimesh në ligjin e prokurimeve publike. Kemi filluar të ndërtojmë një model komplet tjetër me Prokurimet Publike që kanë të bëjnë me blerje të përqendruara. Në Shqipëri çdo institucion bën prokurime dhe procedurat e tenderëve kërkojnë ekspertë dhe njerëz të ditur. Ndaj një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve të komisioneve janë viktimë e padijes në radhë të parë, jo e faktit se janë të përfshirë”, tha Rama.

Ky problem, sipas tij, adresohet me modernizimin e sistemeve.

“Do të marrim agjenci ndërkombëtare për procese prokurimesh dhe do të përdorim inteligjencën artificiale. Uroj dhe besoj që brenda këtij mandati ne të heqim komplet njerëzit nga bërja e tenderëve. Është një punë shkencor në bashkëpunim me Microsoft”, tha Rama.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRezultatet e “PISA-s”, Rama: Ndikim pandemia, plan për të adresuar situatën
Artikulli tjetër574 milionë lekë për forcimin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Tiranë dhe Kurbin