Ballina Flash

Rona Nishliu, koncert në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Rona Nishliu do të realizojë sonte një koncert në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë.

“Këngëtarja që na ka bërë krenarë në skenën e madhe të Eurosongut, ngjitet sot në skenën e Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor”, shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale, ku edhe ftoi artdashësit të mos e humbasin koncertin e Rona Nishliut dhe The New Orchestra.

Koncerti do të shfaqet sot në mbrëmje, në orën 20:30 dhe ka mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Kohët e fundit, Rona Nishliu ka qenë më aktive në skenën artistike në të dyja anët e kufirit. Këngëtarja nga Mitrovica organizoi në qytetin e saj të lindjes, para disa muajsh, një festival ndërkombëtar xhazi, “Mitrovica International Jazz Days”.

Rona Nishliu ka përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës në 2012, me këngën “Suus”, me të cilën arriti të renditej e 5-ta në natën finale. “Rona do të na rrëmbejë zemrat me koncertin që do të reflektojë ndjesitë e brendisë sonë: dashurinë, rritjen, mallëngjimin, mallin, humbjen e idealin për vendin”, shkruhet në faqen online të TKOB.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDeputetë të opozitës bllokojnë foltoren e Kuvendit, përplasje me Gardën
Artikulli tjetërTymuese në Kuvend, përjashtohet nga seanca deputeti Flamur Noka