TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Mjeshtrit të Madh të humorit Zef Deda.
“Lamtumirë i dashur Zef”, shkruan kryeministri Rama, ndërsa ndau në rrjetet sociale një foto të aktorit të mirënjohur të humorit.
Zef Deda u nda sot nga jeta në Shkodër, në moshën 73-vjeçare. Ai vuante prej pak kohësh nga një sëmundje e rëndë.
Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të bëhet të shtunën, kur edhe do të mbahen homazhet në teatrin “Migjeni”.
Zef Deda lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. Ka punuar për më shumë se 40 vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikati që në moshë të vogël. Një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, humoristi Zef Deda është cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë.
Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai realizoi qindra figura artistike.
/m.m/r.e/












