Ballina Bota

FOKUS – Michel në Kiev për bisedime me Zelenskyn

KIEV, 21 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel mbërriti sot në Kiev, pas vizitave të shefave të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë.

Takimi i Michel me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky do të fokusohet në perspektivat e anëtarësimit të vendit në BE.

Vizita e Michel në Kiev rikonfirmon mbështetjen e BE-së për Ukrainën.

Pavarësisht luftës së vazhdueshme me Rusinë, qeveria në Kiev po punon shumë për të zbatuar reformat që nevojiten për t’u bashkuar me unionin 27-anëtarësh.

Ukraina shënon sot 10 vjet nga fillimi i protestave të Euromaidan që përfshiu vendin.

Ato u shkaktuan nga vendimi i presidentit pro rus Viktor Janukoviç për të mos nënshkruar një marrëveshje asociimi me BE-në.

Michel tha se protestuesit ukrainas kishin vdekur në duart e forcave të sigurisë së Janukoviç pasi ata besonin te “vlerat evropiane” dhe donin një të ardhme të lirë.

“Dhe kjo është arsyeja pse ky moment është i rëndësishëm dhe unë gjithashtu do të përpiqem ta përdor këtë moment për të shprehur bindjen se BE-ja do të jetë më e sigurt dhe më e fortë me anëtarësimin e Ukrainës”, tha ai.//a.i/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak57-vjetori i shpalljes zonë e mbrojtur, Breshani për ATSH-në: Llogoraja u vizitua nga mbi 163 mijë turistëve
Artikulli tjetërBegaj në 115-vjetorin e Ditës së Alfabetit: Gjuha shqipe të pasurohet në përputhje me realitetet e reja