TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri u shpreh sot “e shqetësuar për zhvillimet e fundit në parlamentin e Shqipërisë”.
Në përgjigje të interesit të Zërit të Amerikës, për një koment mbi këto zhvillime, të cilat prej disa javësh kanë bërë të pamundur aktivitetin normal të organit ligjvënës të vendit, ambasada amerikane vë në dukje se “një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t’u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar”.
Ambasada nënvizon më tej se, “mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë”.
Edhe ambasada britanike në Tiranë shprehu sot shqetësimin lidhur me zhvillimet më të fundit në Parlamentin e Shqipërisë.
Ambasada theksoi në një reagim në rrjetet sociale se, “një parlament që funksionon dhe dialogu konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur janë thelbësorë për të garantuar legjislacionin dhe shërbimet në mënyrë efektive”.
“U bëjmë thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve”, përfundon reagimi i Ambasadës britanike.
/r.e/













