Ballina Flash

Drejt përfundimit restaurimi i 3 ikonave të Diço Zografit

TIRANË, 11 nëntor/ATSH/ Në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore janë drejt përfundimit tre ikonat pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar me autor Diço Zografin.

IKTK bëri të ditur se ikonat që janë drejt përfundimit janë “Shën Athanasi” realizuar në vitin 1855, “Shën Harallambi” realizuar në 1855 dhe “Shën Kolli” e realizuar në 1859.

Specialistët e Sektorit të Veprave të Artit në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore po vijojnë punën për përfundimin e ndërhyrjeve në këto ikona.

Sipas IKTK, specialistët kanë përfunduar pjesën më të madhe të proceseve konservuese-restauruese përfshirë dezinfektimin, konsolidimin, pastrimin.

Aktualisht po vijohet me procesin e stukimit të lakunave dhe integrimin piktorik.

Kjo është hera e parë që vepra të këtij artisti ikonograf, mjaft të njohur në hapësirën ballkanike, gjatë shek. XIX, janë në fokus të ndërhyrjeve restauruese që kryhen në këtë laborator.

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTEL AVIV – Netanyahu: Izraeli do të mbajë kontrollin e Gazës pas luftës
Artikulli tjetërQendro për ATSH-në: Mbi 546 mijë udhëtarë në 10 muaj në Portin e Sarandës