Ballina Flash

Strategjia kundër ekstremizmit të dhunshëm, Kuko: Plan ambicioz gjithëpërfshirës

TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, në kuadër të luftës ndaj ekstremizmit të dhunshëm, prezantoi të mërkurë strategjinë e Investimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm për periudhën 2022-2027.

Sipas saj, kjo strategji është një plan ambicioz dhe i detajuar që synon të adresojë sfidat e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në shoqërinë tonë.

Zv/ministrja Kuko prezantimin e strategjisë e realizoi gjatë një takimi me përfaqësues të Fondit Global të Angazhimit të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes (Global Community Engagement and Resilience Fund – GCERF) dhe grupit ndërinstitucional teknik të mekanizmit të mbështetjes së projekteve. Fokusi i takimit ishte axhenda kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çojnë në terrorizëm.

Sipas shkrimit të publikuar nga Kuko në rrjetet sociale, bëhet me dije se në takim ishin të pranishëm përfaqësues të GCERF Luan Tresi, Vese Kelmendi, Kevin Osborne (on-line), drejtori i Qendrës Kundër Ekstremizmit te Dhunshëm, Denion Meidani, Jonas Paul nga Delegacioni i BE në Shqipëri, dhe Ebi Spahiu përfaqësuese e Ambasadës së Vendeve të Ulëta, përfaqësues të institucioneve tona të përfshira në përpjekjet për parandalimin dhe kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm, si dhe shoqërisë civile, me të cilët u diskutuan hollësitë e strategjisë dhe rolin e tyre në zbatimin e saj.

Sipas saj, për zbatimin e strategjisë do të ketë një angazhim jo vetëm të qeverisë, por edhe të shoqërisë civile.

“Strategjia përfshin një qasje gjithëpërfshirëse dhe multisfere, duke angazhuar jo vetëm institucionet qeveritare por edhe shoqërinë civile, me qëllim koordinimin e përpjekjeve dhe forcimin e kapaciteteve për të luftuar këto fenomene sociale shkatërruese”, theksoi Kuko.

“Ky takim shënon një moment kyç në angazhimin e Shqipërisë për të promovuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm, duke u përgjigjur ndaj nevojës për një qasje të unifikuar dhe të qëndrueshme ndaj këtyre sfidave”, përfundoi zv/ministrja Kuko.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjinushi: Arkeologjia, promovuese e vlerave të qytetërimit iliro-shqiptar
Artikulli tjetërQeveria miraton çeljen e shkollës së arsimit të mesëm të ulët në gjuhën frënge