TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Kuvendi pritet të nisë seancën plenare, por ndërkohë kanë nisur debatet brenda sallës, ndërsa deputetët e opozitës vijojnë përpjekjen e tyre për të bllokuar funksionimin e parlamentit derisa, sipas tyre, t’u respektohen të drejtat kushtetuese, si ajo e ngritjes së komisioneve hetimore.
Nga pamjet e publikuara nga deputetët e opozitës të pranishëm në sallën e seancave plenare të Kuvendit duket se ka përplasje verbale mes tyre dhe deputetëve të mazhorancës.
Deputetët e opozitës kanë përmbysur karriket e sallës, ndërsa debatojnë me deputetët e mazhorancës.
Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha u shpreh nga brenda sallës se “Rama ka planifikuar të përdorë dhe ushtrinë si në 1990, por asgjë nuk e shpëton”. “Le të përdorë ç’të dojë, por asgjë nuk e shpëton atë nga revolta, nga revolta e popullit opozitar përKushtetutën dhe të drejtat e tij”, tha Berisha.
“Ne jemi këtu për të kërkuar të drejtat tona kushtetuese, të mohuara në mënyrën më brutale, por që janë interesi, në vlerësimin tonë, i të gjithë shqiptarëve që duan pluralizmin, por janë interesi i të gjithë atyre që votuan kundër qeverisë, për një opozitë të vërtetë dhe jo një opozitë, kryetarin e të cilës, përfaqësuesin e të cilës, ta caktojë Edi Rama. Kjo nuk mund të ndodhë”, vijoi Berisha.
“Ne jemi këtu, siç u kemi dhënë fjalën, o rikthejmë kushtetutën dhe ne nuk tërhiqemi. Kjo është betejë pa kthim. Rikthim i të drejtës së opozitës e cila është e sigluar në Kushtetutë për ngritjen e detyrueshme nga parlamenti të komisioneve hetimore. Rikthimi i të drejtës së opozitës për të emëruar përfaqësuesit e saj në komisionet e parlamentit. Rikthimi i të drejtës së opozitës për të ushtruar veprimtarinë e vet ligjvënëse. Ka muaj të tërë që kjo bandë, që ulet këtu pas nesh, mban në sirtar ligjin për minimumin jetik. Unë jam i bindur se ligji për minimumin jetik të shqiptarëve nuk ka deputet që sot nuk do ta votonte”, tha Berisha.
/r.e/























