Ballina Aktualitet

​Abazoviç: Në Samit u diskutua sulmi terrorist në Banjskë

TIRANË, 16 tetor/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka thënë se sulmi terrorist i sponsorizuar nga Serbia në veri të Kosovës është diskutuar në takimin joformal të liderëve në Samitin e Procesit të Berlinit, i mbajtur sot në Tiranë.

Në një prononcim për mediet, pasi u nënshkrua marrëveshja për njohjen e disa profesioneve të reja mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, ai tha se dënon këdo që bën aktivitete kriminale në rajon.

“Në takimin joformal është diskutuar ajo çështje (sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit), por tash nuk mundem me tregu detajet. Secili ka tregu qëndrimet e veta. Qëndrimi im për këtë është shumë i qartë. Secili që bën aktivitete kriminale duhet të dënohet ashpër. Po ashtu bashkësia ndërkombëtare duhet të gjejë përgjegjësinë e vet për këtë gjë që ndodhi më veri, por edhe në Bosnjë dhe gjithë Ballkanin”, tha ai.

Megjithatë nuk dha një përgjigje të qartë nëse Serbia duhet të sanksionohet nga BE-ja për këtë rast.

“Kjo është përmendur gjatë bisedës. Problemi i shteteve të Ballkanit është se ne vetëm mundemi me përcjellë rregullat që i sjellin të tjerët. Kjo është pyetje për njerëzit në Bruksel”, tha ai.

Ai nënvizoi se Ballkani Perëndimor duhet me qenë i kujdesshëm, që politikat proruse mos të jenë të pranishme në rajon.

Gjithashtu, ai shtoi se Ballkani Perëndimor nuk është në prag të ndonjë konflikti të ri.

“Ne duhet me qenë të kujdesshëm. Nuk duhet që politikat proruse të bëhen dominuese në rajon. Duhet me bërë çmos që politikët proevropiane të jenë domuniuese. Nuk mendoj se në prag të ndonjë konflikti në rajon” , tha ai.

Në anën tjetër, Abazoviç e vlerësoi kryeministrin Edi Rama për organizimin e sotëm të Samitit të Berlinit./KosovaPress/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTEL AVIV – Ushtria izraelite: Kemi vrarë kreun rajonal të inteligjencës së Hamasit
Artikulli tjetërRama: Të gatshëm të vazhdojmë partneritetin me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan