Ballina Flash

Prezantohet “Beteja për 20 përqindëshin”, botimi i ri nga Ardit Bido për censusin 2023

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Është prezantuar botimi “Beteja për 20 përqindëshin” i profesorit të asociuar në Marrëdhënie Ndërkombëtare, Ardit Bido, njëkohësisht drejtor i përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Prezantimi i moderuar në formën e një forumi, prej gazetarit Aleksandër Çipa, u zhvillua në praninë e ish-presidentëve të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, të nënkryetares së Kuvendit, Ermonela Felaj, të një grupi parlamentarësh të mazhorancës dhe të opozitës, akademikësh, të studiuesve të historisë, të përfaqësuesve të klerit dhe të qarqeve diplomatike.

Libri i referohet tematikës së vetidentifikimit etnik, të përqindjes së pakicave greke në Himarë dhe në Konispol, si edhe të  ndërhyrjeve të huaja potenciale në procesin e censit të popullsisë dhe të banesave, që përbën ngjarjen statistikore më të rëndësishme të vendit. Në panelin e diskutimit, krahas autorit, morën pjesë prof. dr. Ksenofon Krisafi, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, prof. dr. Paskal Milo, prof. dr. Irakli Koçollari, prof. dr. Eva Hyskaj dhe prof. dr. Fatmir Mema.

Në fjalën e marrë autori shpjegoi se shtysa për realizimin e këtij studimi ishte identifikimi i grupimeve të caktuara të popullsisë shqiptare me identitet fluid.

“Fluiditeti i identitetit etnik është një koncept shkencor, shumë pak i trajtuar në Ballkan, nuk është vetëm tek ne. Në Ballkan është shumë pak i trajtuar, ku ne lidhim automatikisht popullsinë me origjinën. Për të dalë rrjedhimisht në përfundime statistikore të besueshme, të cilat na japin një ide më të qartë se sa janë individët që ndihen në një etni të caktuar”, tha Bido. Ai theksoi riskun e vetëdeklarimit të rremë në censin 2023, siç ka ndodhur në një fshat në censin e vitit 2011, duke rrëfyer implikimet politike që do të kishte Shqipëria nëse artificialisht numri i pakicës greke tejkalon 20 %, që statistikisht është e pamundur edhe përmes vetidentifikimit.

Prof. dr. Ksenofon Krisafi theksoi se përgjegjësia për vetëdeklarim objektiv i përket organeve shtetërore. “Nuk mund të thuash ti që unë jam kinez, tajlandez, se kështu më mbushet mendja mua tani, por duhet objektivisht të vërtetosh dhe kjo është detyrë e shtetit, në këtë rast e zyrave civile dhe të autoriteteve të tjera që janë të ngarkuara me këtë çështje”, shprehu Krisafi.

Në vijim të diskutimit prof. dr. Milo nënvizoi se problematikat e adresuara në libër duhet të gjejnë zgjidhje nga elitat politike dhe akademike. “Ne duhet të jemi realistë mbi disa realitete lokale, veçanërisht në tre fshatrat greqishtfolëse të Bashkisë Himarë dhe duhet të nisemi gjithnjë nga parimet e Konventës Kuadër për Pakicat”, tha Paskal Milo.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakESTONI – Presidenti Karis kërkon përgjigje për dëmtimin e pashpjeguar të gazsjellësit
Artikulli tjetërPeleshi: FA, e dyta mes 37 vendeve në stërvitjen ndërkombëtare “Cambrian Patrol 2023”