TIRANË, 4 tetor/ATSH/ Orkestra Simfonike e TKOB-së, nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pesscaseroli dhe në bashkëpunim me Konservatorin “Umberto Giordano”, të Foggia-s e “Giuseppe Martucci” të Salerno-s, sollën suitën më të bukur orkestrale të kompozitorit gjerman, Richard Strauss, “Der Bürger als Edelmann”, dhe Simfoninë nr. 5 të kompozitorit, P. I. Tchaikovsky.
Koncerti simfonik premierë “Strauss & Tchaikovsky: Përtej kufijve të shpirtit njerëzor”, erdhi mbrëmjen e 3 tetorit, nga Orkestra Simfonike dhe solistët e TKOB-it. Ky koncert u zhvillua në kuadër të Javës Kulturore Gjermane, organizuar nga Ministria e Kulturës, për të gjithë adhuruesit e muzikës gjermane.
Ndërkohë sonte do të shfaqet “E mërkura Jazz”, festivali që vjen në Teatrin e Operës dhe Baletit, për të gjithë adhuruesit e kësaj muzike.
Edicioni i parë do të nisë me koncertin “Timeless Jazz Songs”, më 4 tetor, në orën 20:00, në Hollin e TKOB-së, me pedagogët e shkollës jazz të Konservatorit “Gesualdo da Venosa” të Potenza-s, të cilët do të interpretojnë një koleksion të rafinuar të këngëve, në një mënyrë të pazakontë.
Një bashkëpunim i frytshëm mes Teatrit të Operës dhe Baletit e Konservatorit “Gesualdo da Venosa”, Potenza, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Ambasada Italiane, Instituti Italian i Kulturës etj.
/r.e/























