Ballina Aktualitet

Shqipëri-SHBA, bashkëpunim i fortë midis forcave të rendit

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Pjesëtarë të ekipit të seksioneve ligjzbatuese në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, së bashku me të Ngarkuarin me Punë, David Wisner, u takuan me drejtorin e Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku për të diskutuar partneritetin dhe bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e zbatimit të ligjit.

Drejtori i përgjithshëm, Rrumbullaku falënderoi Të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës amerikane dhe përfaqësuesit e tjerë të ambasadës, për vizitën, si dhe për mbështetjen dhe besimin. Gjithashtu, i siguroi ata se Policia e Shtetit është partnere e besueshme e SHBA-së, si dhe se është maksimalisht e angazhuar për të luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët strategjikë dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Wisner falënderoi Policinë e Shtetit për përpjekjet e saj në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm të narkotikëve dhe për një Shqipëri më të sigurtë, bëri të ditur sot ambasada e SHBA.

Ata pohuan gjithashtu bashkëpunimin e fortë midis forcave të rendit të SHBA, Ambasadës së SHBA dhe Policisë së Shtetit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNga buja mediatike tek mesazhet e shqiptarëve, Duka rrëfehet si zv.president i UEFA-s
Artikulli tjetërBERLIN – Steinemier kërkon kufizimin e numrit të migrantëve