Ballina Bota

BRUKSEL – Von Cramon-Taubadel: BE të rivlerësojë strategjinë për bisedimet Kosovë-Serbi

TIRANË, 3 tetor /ATSH/- Shkëmbimi i zjarrit vdekjeprurës në veri të Kosovës, më 24 shtator dhe paralajmërimi i Uashingtonit javën e kaluar për një dislokim të paprecedentë të trupave serbe pranë kufirit me Kosovën kanë ngritur shqetësime për stabilitetin e rajonit.

Dhe ndërsa zyrtarët ushtarakë serbë thanë dje se Beogradi ka reduktuar numrin e trupave në kufi, shqetësimet vazhdojnë në kryeqytetet perëndimore.

“Jam thellësisht e shqetësuar për sulmin e fundit në Banjska dhe pasojat e mundshme përshkallëzuese që mund të ketë prodhuar”, tha Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e Parlamentit Evropian.

“Ne kemi qenë dëshmitarë të përkeqësimit dhe përfundimisht ngërçit në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha Von Cramon-Taubadel, e cila është raportuesja e parlamentit për Kosovën, për “The Guardian”.

Politikani i lartë serb i Kosovës, Milan Radoiçiç, kishte pranuar se ishte përfshirë në përleshjen me armë muajin e kaluar.

“Ne duhet të dimë në çfarë mase dhe me ndihmën e kujt e ka kryer sulmin, duke pasur parasysh sasinë e municioneve dhe automjeteve të blinduara”, tha Von Cramon-Taubadel.

“Gjithashtu, duhej të kishte një rishikim të qasjes së Brukselit”, theksoi ajo.

“BE duhet të rivlerësojë strategjinë e saj të përgjithshme lidhur me bisedimet Serbi-Kosovë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në terësi”, tha ajo.

“Qasja aktuale, e cila fokusohet në stabilitetin ekonomik dhe politik, çoi në sulmin në Banjska. Në vend të kësaj, duhet të kemi prioritet gjërat kryesore, ligjin e së drejtës dhe demokracinë, dhe të angazhohemi më shumë me zërat përparimtarë nga i gjithë rajoni”, tha Von Cramon-Taubadel.

“Dhe së fundmi, ne kemi nevojë për një përforcim të menjëhershëm të KFOR-it dhe EUFOR-it, asgjë nuk frenon më mirë se prania e trupave të fuqishme të NATO-s në terren”, shtoi ajo. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSPANJË – Mbreti Felipe VI ngarkon Sánchez me formimin e qeverisë së re
Artikulli tjetërBasha takim me banorë dhe sipërmarrës në Laprakë