Ballina Aktualitet

OSBE mbështet BKH-në për rritjen e bashkëpunimit rajonal

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një vizitë shkëmbimi eksperiencash, në Rumani, për një delegacion të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), me synim vendosjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet BKH-së dhe agjencive rajonale të zbatimit të ligjit.

Delegacioni, i kryesuar nga drejtorja e BKH-së, Aida Veizaj, zhvilloi takime në Drejtorinë rumune për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit, Drejtorinë Kombëtare kundër Korrupsionit dhe Qendrën e Evropës Juglindore për Zbatimin e Ligjit.

Drejtorja e BKH-së dhe homologët e saj në Rumani theksuan se bashkëpunimi, shkëmbimi i vazhdueshëm i informacionit dhe hetimet e përbashkëta ndërmjet agjencive ligjzbatuese të dy shteteve janë thelbësore në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit, të cilët janë shtrirë përtej kufijve.

Prezenca e OSBE-së do të vijojë të mbështesë Byronë Kombëtare të Hetimit në ndërtimin e kapaciteteve dhe konsolidimin efikas të funksionimit të saj.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNë GIS-in kombëtar integrohen të dhënat dhe sistemet e informacionit gjeografik
Artikulli tjetërParku ujor Tushemisht-Drilon, 5.2 milionë lekë për shpronësimet e pronarëve