Ballina Aktualitet

Kodheli: Kosova, prioritet kombëtar i Shqipërisë

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli së bashku me kolegë të komisionit, pritën në Kuvendin e Shqipërisë, një delegacion nga Komisioni për Politikën e Jashtme dhe Diasporën nga Kuvendi i Kosovës, drejtuar nga Arbëresha Kryeziu-Hoti.

Kodheli fillimisht pasi i uroi delegacionit mirëseardhjen tha se ky takim vëllazëror aq edhe zyrtar flet për marrëdhëniet e shkëlqyera mes nesh dhe nëse ka një postulat që nuk ka për të ndryshuar asnjëherë është se Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë.

Në vijim, Kodheli tha se, Shqipëria ka lobuar në të gjitha instancat ndërkombëtare si dhe organizatat shumëpalëshe për të avancuar statusin e Kosovës brenda këtyre organizatave.

Sa i përket situatës së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Kodheli tha se, Shqipëria mbështet dialogun mes palëve.

Nga ana e saj, Kryeziu-Hoti pasi falënderoi për mikpritjen dhe tha se është përherë një kënaqësi të takosh kolegë me të cilët shkëmben mendime dhe opinione.

Ajo propozoi që takimet e këtij formati të mund të jenë më të shpeshta dhe po ashtu të mund të realizohen takime trilaterale edhe me Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për të arritur rezultate konkrete.

Gjatë takimit u ra dakord për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi mes dy komisioneve.

Bashkëbiseduesit folën edhe për situatën në rajon si dhe për çështje me interes të përbashkët.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjykata e Tiranës lejon ekstradimin e ish-luftëtarit të UÇK, Dritan Goxhaj
Artikulli tjetërFOKUS – CNN: Biden synon të ngrejë axhendën e tij globale në OKB edhe pse disa liderë botërorë mungojnë