Ballina Bota

BULLGARI – Parlamenti heq ndalimin e importit të grurit ukrainas

SOFJE, 14 shtator /ATSH-DPA/ – Parlamenti bullgar votoi sot për heqjen e ndalimit të importit të grurit ukrainas, duke ndarë rrugët me vende si Polonia dhe Hungaria, të cilat synojnë të vazhdojnë të zbatojnë embargon për mbrojtjen e tregjeve të tyre.

“Shumica pro perëndimore në parlament e mbështeti masën, duke siguruar 124 vota pro nga 240 anëtarët, dhe tetë abstenime”, njoftoi agjencia e lajmeve BTA.

Bashkimi Evropian ka lejuar anëtarët lindorë të mbrojnë tregjet e tyre duke ndaluar importin e grurit të lirë ukrainas për një periudhë të kufizuar. Afati i këtij koncesioni përfundon të premten.

Ministri hungarez i Bujqësisë, Istvan Nagy njoftoi dje se Hungaria do të vendosë në mënyrë autonome një bllok importi për grurin, misrin, farat dhe lulediellin ukrainas, nëse BE-ja nuk e zgjat afatin e koncesionit.

Çështja ka fituar rëndësi që kur Rusia u tërhoq në korrik nga marrëveshja për të lejuar eksportin e grurit ukrainas nëpërmjet porteve të Detit të Zi.

Rusia po kërkon lehtësimin e kufizimeve në eksportet e saj bujqësore përpara se të bjerë dakord për rinovimin e marrëveshjes./ /a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLokalizohet zjarri në pallatin tek rruga “Sali Butka” në Tiranë
Artikulli tjetërSuperoperacioni antidrogë, Balla: Neutralizuam një burim të rrezikshëm dëmi për shëndetin e më të rinjve