TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Masat që janë marrë për fillimin e vitit të ri shkollor 2023–2024, ishte tema e takimit të organizuar nga prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole.
Në takim ishin të pranishëm drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Arsimit, Vinjola Rota, drejtues të zyrave arsimore në bashkitë e qarkut, si dhe zv/drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë, Bedri Hasanaj dhe shefi i sektorit të rendit publik, Edmond Çela.
Në takim u diskutua lidhur me gjendjen e infrastrukturës shkollore, kopshteve e çerdheve (në qytet e në fshat), detyrimet e plotësuara nga NJVV-të para fillimit të sezonit të ri shkollor, nevojat për mirëmbajtje e pajisje, sigurimin e ngrohjes së institucioneve arsimore për periudhën e dimrit, masat për furnizimin me tekste e materiale shkollore, nivelin e digjitalizimit në shkollat e qarkut, si edhe për nevoja e problematika të ndryshme.
Prefekti Jole theksoi se “në takim u bisedua edhe lidhur me procedurën e ndjekur për regjistrimin e nxënësve, plotësimin e stafeve mësimdhënëse të shkollave, për numrin e tyre krahasuar me vitin e kaluar, si dhe për trajtimin me një vëmendje të veçantë të nxënësve me aftësi ndryshe, apo nxënësve nga komuniteti rom dhe egjiptian, të cilët duhet të ndihen e trajtohen pa asnjë diferencim nga fëmijët e tjerë”.

/k.s/























