TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi reagoi sot pas mungesës së ujit të pijshëm në Dibër.
Në një reagim për mediet, Gjunkshi u shpreh se uji i pijshëm në Dibër mungon prej më shumë se 23 orë në ditë.
“Janë afro dhjetra milionë euro të investuara në total në projektin e ujësjellësit të Peshkopisë, që kur qeveria Rama mori pushtetin prej një dekade. Disa faza investimesh kanë dështuar ndër vite dhe askush nuk ka mbajtur përgjegjësi ndërkohë që dhe besimi para investitorëve të huaj është cenuar rëndë”, u shpreh ai.
Gjunkshi theksoi se “investimi më i fundit i përket muajit tetor të vitit të kaluar, me vlerë rreth 7 milionë euro”.
“Prej asaj periudhe dibranët po vuajnë prej muajsh thatësirën ku në rubinetet e shtëpive uji nuk rrjedh me orë të tëra. Dibranët u manipuluan rëndë në zgjedhjet e 15 majit dhe këtë e dëshmuan shkeljet e shumta ku ndër të tjera ishte dhe premtimi për furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë. Tashmë që mandati i radhës për bashki u sigurua, deputetët dhe ministrat nuk duan t’ia dinë për Dibrën. Janë banorët që në këtë vapë të nxehtë po përballen me mungesën e theksuar të ujit dhe askush nuk ndërhyn për të zgjidhur këtë skandal që kushtëzon normalitetin e përditshmërisë të çdo familje dibrane. Të mohosh ujin njerëzve, është shkelje e rëndë si në pikëpamjen e moralit shoqëror, fetar, por dhe si një e drejtë bazë kushtetuese”, u shpreh ai.
Si ish-deputet i zonës, Gjunkshi apeloi për zgjidhjen e krizës së ujit në Dibër.
“Furnizimi me ujë është standardi më minimal dhe nuk mund të konsiderohet kurrsesi si devotshmëri e qeverisjes qendrore apo lokale ndaj komunitetit. Mos u kujtoni për Dibrën vetëm kur ka zgjedhje, sepse dibranët nuk mashtrohen dhe aq më pak të përkulen”, u shpreh ai./m.m/












