BRAZILIA, 21 gusht /ATSH-ANSA/ – Presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, do të propozojë përdorimin e një monedhe të përbashkët midis vendeve anëtare të BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) në takimin e tyre vjetor, në Johannesburg nga nesër deri më 24 gusht.
“Kjo monedhë do të lejojë më shumë tregti midis vendeve si Brazili dhe Afrika e Jugut pa u varur nga monedha e një vendi të tretë”, tha udhëheqësi progresiv, duke iu referuar dollarit.
“Bashkëpunimi midis vendeve të hemisferës jugore është thelbësor për trajtimin e pabarazive, krizës klimatike dhe për një botë më të ekuilibruar dhe të barabartë”, shtoi Lula, i cili do të donte të përfshinte Arabinë Saudite dhe Argjentinën në BRICS, mes kombeve të tjera, duke u shprehur gjithashtu në favor të hyrjes së Iranit në grupimin e ekonomive botërore. //a.i/























