KIEV, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Rusia ka nisur një valë të re sulmesh ndaj Ukrainës, me sa duket duke synuar një aeroport ushtarak në perëndim të vendit.
“Në rajonin e Lvivit ata u kthyen pas dhe përfunduan duke fluturuar në rajonin Khmelnytskyi në distriktin Starokostyantyniv”, tha zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yuri Ihnat.
Sipas tij, shumë raketa ruse u interceptuan mbi rajonet e Kievit, Kharkiv dhe Dnipro.
”Gjithsej 36 raketa u interceptuan deri në mbrëmje”, thanë forcat ajrore.
Ndërkohë, në të gjithë vendin kishte rënë alarm ajror.
Objektivi i sulmeve thuhet se kanë qenë avionët luftarakë-bombardues, tip ”Su-24” në aeroportin ushtarak ”Starokostyantyniv”.
Forcat ajrore ukrainase kanë kryer disa sulme ajrore të suksesshme me ”Su-24” duke përdorur raketa ”Storm Shadow” mbi depot ruse të municioneve në gadishullin e pushtuar të Krimesë në Detin e Zi.
Baza ajrore ”Starokostyantyniv” është sulmuar vazhdimisht me raketa nga ushtria ruse që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë mbi 17 muaj më parë.
Fillimisht nuk dihej nëse këtë herë ka pasur ndonjë shkatërrim.
Më pas, kreu i Forcave Ajrore të Ukrainës, Mykola Oleshchuk, falënderoi pjesëtarët e mbrojtjes ajrore.
“Dita nuk ishte e lehtë, por falë veprimeve të koordinuara të të gjithë rojave tona të qiellit, ky sulm u zmbraps”, ka shkruar ai në Telegram./ a.jor.












