Ballina Aktualitet

Bardhi: Gati për Këshillin Kombëtar, e ardhmja e PD mbi çdo interes

TIRANË, 27 korrik/ ATSH/ Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, përmes rrjeteve sociale njofton se po përgatitet për mbajtjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Pavarësisht se Kryesia e Partisë Demokratike vendosi ta shfuqizojë thirrjen e Këshillit Kombëtar nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm, vetë Bardhi përmes një reagimi në rrjetet sociale ka konfirmuar se Këshilli Kombëtar do të mbahet ashtu siç është parashikuar në thirrjen e bërë prej tij, këtë të enjte (sot) ora 19:00 dhe do të jetë online.

Në reagimin e tij, Bardhi i është përgjigjur dhe Kryesisë së PD, duke theksuar se e ardhmja e Partisë Demokratike është mbi çdo interes personal.

“Duke u bërë gati për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD. E ardhmja e PD dhe mbi gjithçka, mbi çdo hall e interes personal!”, deklaron Bardhi.

Kryesia e Partisë Demokratike më herët e cilësoi si të sajuar rregulloren me të cilën Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike pretendon të thërrasë Këshillin Kombëtar. Madje sipas Kryesisë së PD, thirrja e Këshillit Kombëtar nga Bardhi mbart interesa personale politike.

Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i PD së bashku me një grup deputetësh dhe mbështetjen e një pjese të Këshillit Kombëtar nuk njohin mbajtjen e zgjedhjeve brenda PD për kryetarin e ri të kësaj force politike në datën 29 korrik. Për këtë arsye Bardhi ka thirrur dhe Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike. Nga krahu tjetër, Kryesia e Partisë Demokratike i hoqi vulën e PD-së Bardhit, ndërsa ia besuan Indrit Sefës. Ndërkohë që Kryesia vendosi të mos njohë thirrjen e Bardhit për mbledhjen e Këshilli Kombëtar duke insistuar që zgjedhjet brenda partisë do të mbahen në datën 29 korrik 2023.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKIEV – Zelensky: Sistemi ukrainas i mbrojtjes ajrore rrëzoi mbi 30 raketa ruse brenda një nate
Artikulli tjetërTaksitë pa shofer pushtojnë rrugët e San Franciscos