Ballina Uncategorized

Musk prezanton ”xAI”, për të rivalizuar OpenAI dhe Google

KALIFORNI, 16 korrik /ATSH-ANSA/ – Miliarderi Elon Musk ka prezantuar kompaninë e tij të inteligjencës artificiale ”xAI” për të konkurruar me OpenAI, krijuesin e ChatGpt dhe Google.

Sipas faqes xAI, pronari i Tesla-s do ta menaxhojë kompaninë veçmas nga të tjerët, por teknologjia që do të zhvillohet do të përfitojë kompanitë e tij, përfshirë Twitter-in, rrjetin social që për momentin duhet të përballet me rivalitetin e Threads, platforma e sapokrijuar nga Meta.

“Qëllimi i xAI është të kuptojë natyrën e vërtetë të universit”, shkruan Musk në Twitter duke shtuar se qëllimi i kompanisë së re është të “kuptojë realitetin” dhe t’u përgjigjet pyetjeve të mëdha të jetës.

Startup-i përbëhet nga ish-kërkues nga OpenAI, Google DeepMind, Tesla dhe Universiteti i Torontos. Ekipi udhëhiqet nga Dan Hendrycks, i cili aktualisht drejton Qendrën për Sigurinë e AI, një organizatë me bazë në San Francisko.

Hendrycks ishte një nga nënshkruesit e letrës së qershorit, drejtuar liderëve botërorë, e cila paralajmëronte se AI është një rrezik për ekzistencën njerëzore në të njëjtin nivel me pandemitë dhe luftën bërthamore.

Musk gjithashtu ka paralajmëruar vazhdimisht për rreziqet e inteligjencës artificiale, duke e quajtur atë “kërcënimi ynë më i madh ekzistencial”.

Miliarderi bashkëthemeloi OpenAi në 2015 dhe u largua në 2018 për t’u fokusuar në Tesla. /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakITALI – Mjekët e emergjencës në ”arrati”, vetëm 2 300 nga 6 000 që nevojiten
Artikulli tjetërPastrim tërësor i varrezave të qytetit në Vlorë